Gjatë shtatzënisë

Të gjitha gratë e përjetojnë kohën e shtatzënisë si një kohë plot ndryshime. Pritje me gëzim, shpresa, shumë pyetje, pasiguri dhe ndonjëherë edhe shqetësime ju shoqërojnë gjatë këtyre javëve dhe muajve. Nëse ju ende nuk keni shumë kohë në Gjermani, ndoshta për ju është një sfidë e veçantë, që të ndiheni mirë dhe të sigurt me shtatzëninë këtu.

Në këtë duam t´ju përkrahim.

Ju lutemi në të gjitha pyetjet, që lindin, drejtohuni plot besim konsulenteve tona për gra shtatzëna / konsulentëve tanë për shtatzëninë.

1. Që në fillim të shtatzënisë bëni mirë të kujdesni për një ushqyerje të shëndetshëm dhe të balancuar. Ju lutemi, mos pini në asnjë mënyrë alkool dhe hiqni dorë nga duhani, për të mos i bërë dëm fëmijës suaj. Para pirjes së medikamenteve, ju lutemi, kërkoni me patjetër këshillën e një mjekeje/të një mjeku. Ju lutemi, shfrytëzoni mundësitë e ofruara të kontrolleve preventive (rreth 10 herë) dhe 3 herë (skanim me ultratinguj). Kërkoni sa më parë një mami, e cila ju shoqëron gjatë shtatzënisë. Në të shumtën e rasteve, kjo mami mund t´ju përkrah edhe pas lindjes së fëmijës suaj. Nuk duhet t´i paguani kontrollet preventive mjekësore dhe ndihmën e mamisë para dhe mbas lindjes.

2. Në javët e para mund të keni shqetësime si këputje, përzierje dhe pamundje. Trupi duhet të përgatitet për ndryshimet për shkak të shtatzënisë. Mamia juaj ose mjekja juaj/mjeku juaj dinë ç´duhet bërë. Kini kujdes për sinjalet e trupit tuaj dhe lejoni vetes herë pas here të pushoni pak. Lëvizje e rregullt, mundësisht përjashta, parimisht është shumë mirë për një grua shtatzënë. Ju lutemi, kini kujdes të mos ngrini pesha të rënda.

3. Në tremujorin e parë të shtatzënisë ju mund të vendosni pro ose kundër ekzaminimeve para lindjes (diagnostika prenatale). Ju lutemi, kërkoni me kohë një kurs përgatitor për lindjen. Për zgjedhjen e vendit të lindjes, ju mund të vizitoni takimet informuese të spitaleve dhe të mamive, që të merrni një përshtypje, ku ju mund të ndiheni mirë dhe të sigurt në lindje. Ju mund të zgjidhni, se ku ju doni të lindni.

4. Pagesa sociale, p.sh. nevojë e shtuar financiare, ndihma financiare për rroba për gra shtatzëna dhe pajisje për beben, varen nga statusi juaj i qëndrimit. Ju lutemi, informohuni për këtë tek konsulentja juaj për gra shtatzëna. Tek ajo ju merrni edhe informacione për parashtrimin e kërkesave për pagesa nga fondacione, p.sh. nga Fondacioni Federal për Nënën e Fëmijën. Nëse jeni të punësuar, ju keni të drejtë për leje lindje, për mbrojtje nga prishja e kontratës së punës, për pagesa gjatë lejes së lindjes dhe për pushim nga puna për të edukuar fëmijën.

5. Për beben tuaj ju keni nevojë për një pajisje të parë. Të arsyeshme janë: Krevat bebe me dyshek, çarçafë dhe nënshtresë e qëndrueshme ndaj ujit, një vend për ndërrimin e bebes me mbishtresë ndërrimi, kovë për pelena, tas për ujë, lecka larëse, 2 pako pelena për foshnja të porsalindura, termometër, krem (për prapanicën e bebes – pa përmbajtëse parfumi, ngjyre ose lëndë konservuese), karrocë fëmijësh. Rroba: 1-2 thasë gjumi, një batanije, 5 badi/ kanatiere, 5 paliçeta, 5 bluza ose triko, 2 palë çorape, 1 kapuç, 1-2 xhupa, një kominoshe bebe në dimër. 

Gjidhënie: 2 sytjena për gjidhënie dhe mbase peceta gjiri; nëse nuk jepet gjiri: qumësht artificial, 4 shishe dhe biberonë nr. 1, një furçë për pastrimin e shisheve, një pako qumësht artificial Pre. Shumë gjëra mund t´i blini të përdorura me një çmim të arsyeshëm. Rroba të reja bëni mirë t´i lani disa herë para përdorimit të parë. Nëse ju do të blinit në vendin tuaj të origjinës gjëra të tjera për kohën e parë me beben, me gjithë dëshirë mund të shkëmbeni mendime rreth kësaj me maminë ose edhe me nëna të tjera të reja.

6. Ju lutemi, mendohuni për të ushqyerit e bebes suaj - nëse doni ta ushqeni beben tuaj me gji apo me biberon. Gjidhënia është e shëndetshme dhe praktike për nënën dhe fëmijën. Qumështi i nënës u përshtatet nevojave të bebes suaj në mënyrë të përsosur, gjithmonë është i arritshëm në sasinë dhe temperaturën e duhur, ai është falas, mbështet sistemin e imunitetit të fëmijës dhe parandalon alergji. Edhe nëse nuk jeni në gjendje t'ia jepni fëmijës suaj gjirin, prapë ju mund ta ushqeni beben tuaj në mënyrë optimale. Në Gjermani ka qumësht artificial të cilësisë së lartë, i cili u është përshtatur tamam nevojave - edhe nevojave të më të vegjëlve. Ju lutemi, pyesni me gjithë dëshirë konsulenten / konsulentin tuaj për këtë.

7. Ju lutemi, kërkoni për veten në fund të shtatzënisë një klinikë pediatrike afër shtëpisë suaj, ku ndoshta flitet edhe gjuha juaj dhe ku kryhen kontrollet e para preventive të fëmijës (kontrolli U2 – dita e 3-të deri në ditën e 10-të në jetën e bebes, kontrolli U3 - java e 4-t deri në javën e 5-të). Pediatrja juaj/ pediatri juaj e shoqëron fëmijën tuaj në çështjet e shëndetit, derisa ai të jetë i rritur.

8. Afërsisht gjashtë javë para lindjes bëni mirë të bëni gati çantën tuaj për spitalin: Pasaporta e nënës, karta e sigurimit shëndetësor/ fleta për sipërmarrjen e kostove, certifikata e lindjes, certifikata e martesës, rroba ndërrimi, karta e identitetit, çorape të trasha, rroba për lindjen (bluzë ose fustan nate), sende larjeje dhe kozmetike. Mbas një lindjeje spontane ju qëndroni mesatarisht tre ditë, mbas një lindjeje me operim mesatarisht pesë ditë në spital. Merrni, nëse kini, një aparat fotografik ose një smartfon me vete, për të pasur mundësinë të bëni me çmim të ulët fotografi fillestare nga bebja juaj, që do të jenë shumë të çmuara për ju.

9. Çifte të pamartuara bëjnë mirë që tashme para lindjes së fëmijës të parashtrojnë një kërkesë për njohjen e atësisë para Zyrës së Gjendjes Civile ose para Zyrës për të Rinjtë.

10. Organizoni për fëmijët e tjerë një kujdestari për kohën e lindjes dhe planifikoni transportin për në spital (taksi, autobus, ndihmës).

11. Afër fundit të shtatzënisë, jeta e përditshme shpesh bëhet më e lodhshme. Shume gra shtatzëna vuajnë nga urth, dhimbje shpine dhe çrregullime gjumi. Duroni edhe pak, dhe ju mund ta mbani beben tuaj në krah. Kur keni kontraktime të rregullta të parakohshme, hemorragji ose plasje të ujërave të parakohshme, kontaktoni sa më parë mjeken tuaj/mjekun tuaj ose maminë tuaj.

Në numrin e telefonit 0800 40 40 020 ju merrni telefonin ndihmës „Gra shtatzëna në hall“. Atje gra shtatzëna marrin në 17 gjuhë në çdo orë të ditës dhe falas një këshillim të parë – sipas dëshirës anonim dhe totalisht në mënyrë të fshehtë.

Ju urojmë gjithë të mirat për shtatzëninë dhe lindjen tuaj.